Interi ka gati yjet e tjerë, dhe Alegri mendon se fiton titullin!

Nis një periudhë e ngarkuar për skuadrën milaneze, por trajneri Antonio Konte duket se i ka bërë llogaritë mirë. Në 23 ditë, Interi do të luajë 7 ndeshje në Serinë A e në Champions, përfshi Milanin, Lacion, Barcelonën e Juventusin, pra rotacioni duhet të bëhet se s’bën. Konte është i përgatitur, pasi lojtarët e afruar gjatë verës janë gati. Të tillë si Godin, Barela, Sançez e Lazaro, ndërsa dy të tjerë janë integruar që tani në skuadër, Sensi e Romelu Lukaku. Që në ndeshjen e nesërme ndaj Udinezes, trajneri mund të zgjedhë formacionin më të mirë.

Një vlerësim të madh për Interin vjen edhe nga një ish-“armik”, si Masimiliano Alegri. Ish-trajneri i Juventusit, pasardhësi i Kontes në stolin bardhezi, vlerëson lart Bepe Marotën, drejtuesin sportiv me të cilin ka punuar në Torino. “Kam fituar me të dhe pa të, por bëri një punë të shkëlqyer, – u shpreh Alegri, – tek Interi ndërtoi një skuadër të fortë dhe me Konten bëri një zgjedhje me peshë për stolin. Mund të fitojnë titullin”.

Sfidanti.al