Ëndra e Xhakomo Vrionit, nga Pistoieze e Çitadela, tek Juventusi i Ronaldos!

Ëndrra është të luajë në këtë nivel, dhe me yje të tillë. Juventusi mbetet fiksimi i shumë futbollistëve, dhe padyshim edhe i shqiptar, Xhakomo Vrioni. Sulmuesi i Shpresave dhe i kombëtares, në moshën 21-vjeçare bën lëvizjen e jetës, atë te kampionët e Italisë, ndonëse fillimisht do të jetë pranë skuadrës U23. E kuptueshme, kur bëhet fjalë për Juventusin ku luajnë disa nga lojtarët ofensivë më të mirë të botës.

Vrioni është rritur në Akademinë e Sampdorias, dhe cilësohej si talent premtues që të paktën para 5-6 vjetësh. Ai u huazua në skuadra të ndryshme për të fituar përvojë, si Pistoieze, Venecia dhe Çitadela, ku arriti të shënonte disa gola. Kjo duket se e bindi Juventusin se mund t’i besonte dhe mund ta kishte lojtar për të ardhmen.

Në nivel kombëtareje, Vrioni fillimisht luajti për Italinë, duke u aktivizuar për ekipin U18 dhe U19, madje shënoi gol për 19-vjeçarët italianë në ndeshjen e fituar 3-1 ndaj moshatarëve të Turqisë. Më pas, ndoshta për shkak edhe të konkurrencës, ai kaloi tek Shqipëria, ku menjëherë pati një kujtim të bukur në ekipin Shpresa. Xhakomo Vriorni realizoi gol në miqësoren pikërisht ndaj Italisë U21, të cilën shqiptarët e humbën 1-3, por ku ai arriti të tregonte veten.

Sfidanti.al