Ranieri do të ulet në “stolin e nxehtë” të Lids Junajtidit?

Lids Junajtidi, dikur i lavdishëm, nuk u kualifikua për në fazën play off për t’u ngjitur në Premer Ligën angleze, ndërsa mbeti edhe pa Geri Monkun që vendosi të largohet nga ky klub dhe të marrë “timonin” e Midëllsborout. Kështu që, tani, vendi i trajnerit të Lidsit është vakant, ndërkohë që kandidatët për ta zënë këtë vend nuk mungojnë. Sipas disa mediumeve të Ishullit, strategu italian i futbollit, Klaudio Ranieri, është një nga kandidatët më seriozë për të marrë “timonin” e këtij klubi dikur të famshëm anglez. Kështu që duket se Ranierit do t’i jepet përsëri mundësia që të bëjë një mrekulli tjetër në Angli, pasi, me të në krye, Lester Siti, për habi të të gjithëve, nga autsajder u shndërrua, vjet, në kampion të Anglisë, por, sidoqoftë, shërbimet e tij u refuzuan nga kryesia e klubit, për shkak të rezultateve të dobta, ndërkohë që u përhapën spekulime se disa lojtarë kryesorë të Lesterit i kthyen atij kurrizin dhe i humbisnin qëllimisht ndeshjet. Si kandidatë të tjerë potencialë për t’u ulur në “stolin e nxehtë” të Lidsit përmendet spanjolli Aitor Karanka, ish-ndihmës i Murinjos që, gjithasht, si edhe Ranieri, tani, është i paangazhuar.

Sfidanti.al