Rajan Gigsi bën rrëfimin e dhimbshëm: Po, frymëzohem nga Liverpuli!

Trajneri i tij i dikurshëm, Sër Aleks Ferguson, do të shkulte flokët e tij të lodhur nga jeta, duke dëgjuar pohimin e ish-nxënësit të tij. Gjithsesi, e vërteta mbetet e vërtetë edhe kur është e hidhur (dhe shpesh është e tillë). Rajan Gigsi ka qenë vërtet një nga magjikët e Mançester Junajtidit, por sot edhe ai i ka humbur ngjyrat dhe frymëzimin e gjen tek rivali i madh i dikurshëm, Liverpuli. “Më jep dhimbje ta pohoj, por duhet ta them se në punën time si trajner i Uellsit unë frymëzohem nga Liverpuli, – u shpreh Gigsi, – nga puna e Jurgen Klopit. Liverpuli është fantastik dhe meriton ta fitojë Premier Ligën”. Gigsi dhe “banda” e tij ishte arsyeja kryesore që Liverpuli ka 30 vjet pa titull, pasi Mançester Junajtidi dominoi në Angli në vitet 1993-2013. Sër Aleks Fergusoni erdhi në 1986 në stol me fiksimin e qartë dhe të shprehur se “synimi im është të zbres Liverpulin nga froni”. Ai ia doli, por sot është koha e Jurgen Klopit, që frymëzon edhe Rajan Gigsin.

Sfidanti.al