Sandro Rosell nuk ishte ndonjë figurë shumë e dashur në Katalonjë, edhe pse ishte presidenti i klubit më të famshëm. Ish-kreu i Barcelonës, i dënuar me burg për shkelje të ligjit, mbahet mend për mirë, të paktën, për blerjen e kartonit të Nejmarit në vitin 2013, të një lojtari që në 4 vjet shkëlqeu në “Kamp Nou”, edhe pse u largua me sherr. Sot, Roselli nxit krerët e klubit që të bëjnë çmos për ta marrë sërish sulmuesin brazilian.
“Nejmari duhet të luajë për Barcelonën, – u shpreh ai, – pas Mesit, ai është lojtari më i mirë në botë, dhe do të ishte një plus i madh për skuadrën që ai të luante në krah të Mesit. Gjithsesi, duke u nisur nga përvoja që kemi sot, unë do ta merrja sërish Nejmarin, por duke nënshkruar edhe një kontratë për mënyrën e sjelljes”. Braziliani ka qenë problem për stilin e jetesës, duke sjellë fërkime me drejtues dhe pjesëtarë të stafit teknik, ndonëse nga lojtarët duhej shumë, dhe që të gjithë e presin me krahë hapur.
Sfidanti.al