Pasdite prekëse në “Old Traford”, një “kalë i vjetër” kthehet në garë!

Nuk e ka harruar ende kush Bastian Shvajnshtajgerin. Ky “kalë i vjetër” i futbollit e pati më në fund shansin e tij. Veterani dëgjoi i habitur fjalët e Zhoze Murinjos “ti do të jesh në formacion”, veshi fanelën, dhe luajti sikur të mos kishte munguar kurrë, ashtu si ndoshta vetëm një gjerman mund të luajë. Mos i kujtoni tani fotografitë “glamour” të Bastit me të shoqen bukuroshe, Ana Ivanoviç. Nëse shoqja e tij e la tenisin, pa shpresë të arrinte nivelin e dikurshëm, Shvajni nuk është dorëzuar ende.

Ai luajti një ndeshje të plotë në përballjen e turit të katërt të Kupës së Anglisë, ndaj Uigan Atletikut në “Old Traford, duke qenë ndër më të mirët. Mançester Junajtid triumfoi 4-0 dhe kaloi në të tetat e finaleve, me golat e shënuar nga Maruan Felaini, Kris Smolling, Henrik Mkitarian dhe pikërisht Shvajnshtajger në minutën e 81-të. Sulmuesi armen, Mkitarian, ishte më i miri lojtar në fushë, vlerësuar me notën 8.

Murinjo bëri 9 ndryshime në krahasim me gjysmëfinalen e Kupës së Ligës, ku Junajtid kaloi në finale pavarësisht nga humbja në fushën e Hullit. Gjithsesi, rotacioni i thellë nuk është se e dobësoi skuadrën, pasi në fushë ishin Felaini, Shvajnshtajger, Mkitarian, Mata, Marsial apo Runi.