Murinjo-Guardiola, dy miqtë-armiq në duelin e tyre 23-të klasik!

Tek Barcelona, në kohën e Bobi Robsonit, ishin miq. Pep Guardiola ende luante për katalanasit, ndërsa Zhoze Murinjo ishte në krah të trajnerit legjendar anglez, por shpejt nisi karrierën e tij. Në 2008, kur ai u ul në stolin e Barcelonës, Zhoze kishte fituar Championsin dhe Kupën UEFA, si dhe kishte dalë 4 herë kampion me Porton e Çelsin.

Në 2010 nisi rivaliteti i tyre kur Interi i Murinjos eleminoi Barcelonën e Guardiolës në gjysmëfinale të Championsit, dhe zikaltërit fituan edhe finalen ndaj Bajernit. Që nga ajo kohë, janë ndeshur 22 herë, dhe Pepi kryeson me 10 fitore, 7 barazime e 5 humbje, po ashtu ka më shumë trofe, 28 ndaj 24. Dy trajnerët njihen si njerëzit që kanë bërë epokë në futboll, ndërsa sot në 17:30 do të jenë sërish përballë, në “Uajt Hart Lejn”, kur Totenhemi do të presë Mançester Sitin.

Guardiola vlerësohet lart për filozofinë e tij të lojës, puristët nuk vënë njeri mbi të kur vjen puna tek spektakli, loja sulmuese dhe zotërimi i topit. Murinjo është i famshëm sepse bën gjithçka për të fituar. Edhe pse Jurgen Klopi sot e ka ngritur “stekën” edhe më lart, dueli Zhoze-Pep mbetet ndoshta më i bukuri i këtij sporti.

Sfidanti.al