Liverpul, u deshën 10 gola (bashkë me Arsenalin), e 10 penallti për fitoren!

Tifozët londinezë gjithnjë kanë me çfarë të merren, por gjithsesi në fund, fitoret i ka Liverpuli. Një shqiptar (i Zvicrës), Granit Xhaka, nuk ishte në fushë për Arsenalin, veçse përkrahësit kryeqytetas patën një tjetër “viktimë”, shqiptarin e Gjermanisë, Shkodran Mustafi. Qendërmbrojtësi shkaktoi një autogol fatkeq në ndeshjen e Kupës së Ligës në “Anfild”, një duel që nuk u vendos aspak nga kjo.

Liverpuli kaloi në çerekfinale, veçse pas një barazimi 5-5, dhe pas gjuajtjes së penalltive (5-4). Nuk u mor vesh mirë nëse loja sulmuese ishte kaq e panjollë, apo mbrojtja ishte shumë mëkatare në stadiumin e famshëm, ku për Liverpulin shënoi Okslejd-Çembërlen, Mustafi (autogol), Milner me penallti, dhe dy herë Divok Origi. Lukas Toreira, Gabriel Martineli (2), Meitlend-Najls dhe Uillok ishin autorët për londinezët. Arsenali kryesoi 3-1 dhe 4-2, ndërsa barazimi i Origit erdhi në minutën e 94-ët. Dani Sebajos humbi penalltinë për miqtë, ndërsa i riu Kërtis Xhons fiksoi shifrat 5-4 për të kuqtë.

Trajneri Klop hodhi në fushë lojtarë mjaft të rinj si portierin Kelleher, pastaj Gomezin, Van den Bergun, Eliotin e Brujsterin, ndërsa në stol ishin të rinj të tjerë si Xhons, Kejn, Kirivela, Larusi, Klarkson dhe Kumetio.

Sfidanti.al