Konte në dilemë: Kam 60 milionë euro, por kur duhet t’i shpenzoj?

Transferimi i Oskarit në Kinë ka bërë që Çelsi të fitojë një “bonus” të papritur që mund ta ndihmojë shumë. Shangai i dha bluve 60 milionë euro për kartonin e brazilianit dhe trajneri Antonio Konte pohoi se është gati për t’i shfrytëzuar këto para, ndonëse ndodhet përpara një dileme jo të vogël. “Është e vërtetë që për momentin ne kemi shumë para që mund t’i shpenzojmë, – italiani, – po diskutojmë me klubin se çfarë duhet të bëjmë, veçse unë nuk kam ndërmend të shpenzoj, thjesht për të shpenzuar”.

Konte pohoi se kërkon lojtarë që të përshtaten me sistemin e tij, diçka që nuk do të jetë e lehtë në muajin e parë të vitit. “Është e vështirë t’i gjesh këta lojtarë në janar, – u shpreh trajneri, – unë nuk dua të prish ekuilibrat e skuadrës, veçse do të bëjmë çdo përpjekje”. Mediat angleze shkruajnë se Çelsi ka nevojë të forcohet sidomos në mesfushë.