Rozher Federer duket se e dashuron tenisin më shumë sesa besojnë njerëzit. Pavarësisht moshës 35-vjeçare dhe faktit se ka disa vjet që nuk fiton asnjë turne Grand Slemi, sërish mjeshtri zviceran e ka ndarë mendjen që të vazhdojë të luajë si profesionist. Federer do të kthehet në fushë në javën e parë të janarit në Kupën Hopman në Perth, duke përfaqësuar Zvicrën së bashku me Melinda Bençiçin, ndërsa ka munguar që pas operacionit që bëri pas Uimbëlldonit në korrik. “Unë nuk e di se në çfarë forme do të jem, – u shpreh ai, – por, tërheqja nga sporti nuk është në planet e mia”.
Zvicerani ka fituar 17 Grand Sleme, një rekord i meshkujve (14 kanë Sampras e Nadal), ndërsa mendon ta provojë fatin në Çmimin e Madh të radhës, në Australian Open. “Nuk e shoh si shansin tim të fundit në këtë turne, – tha Rozher, – ndonëse edhe mund të jetë. Unë po mendoj vetëm në mënyrë pozitive. Shpresoj të luaj edhe 2 apo 3 vjet”.