Venger ka një mesazh por Ozilin, në prag të duelit të radhës!

Mesut Ozil është një nga “pikat e dobëta” të Arsen Vengerit. Edhe pse trajneri i Arsenalit i lëshon fjalët me dy kuptime, gjermani sërish duket se i pëlqen. “Ozil është me të vërtetë një lojtar i madh, – thotë francezi, ndërsa afron përballja ndaj Kristal Palasit, – unë jam i lumtur me të, dhe e mbroj gjithnjë nga kritikat. Kjo, sepse ai e ka rritur përkushtimin dhe punon për anën fizike shumë më tepër sesa mendojnë njerëzit”. Gjithsesi, Venger ka një kritikë, ndonëse të “sheqerosur” për gjermano-turkun.

“Ai e ka rritur përqindjen e realizimit përpara portës, – theksoi ai, – ndonëse ai në stërvitje ka saktësi më të madhe. Kjo do të thotë se Ozil do ta rrisë edhe më tej nivelin e tij”. Kampioni i botës me Gjermaninë disa herë është kritikuar se ka dështuar në ndeshjet e mëdha, siç ndodhi në rastin e disfatës në fushën e Mançester Junajtidit, por Venger nuk dëshiron ta kritikojë, të paktën jo publikisht. Këtë sezon, në Premier, Ozil ka luajtur 17 ndeshje në kampionat, ka shënuar 5 gola, ka krijuar 45 raste goli, ndërsa ka përqindje saktësie në gjuajtje vetëm 47 për qind.

Sfidanti.al