Konte – i zhgënjyer nga “kopracia” e kryesisë së Celsit!

Media italiane njofton se trajneri i Celsit, Antonio Konte, është i zhgënjyer nga fakti se Celsi ende nuk po aktivizohet në tregun e transferimeve, në ndryshim nga klubet e tjerë të mëdhenj që kanë filluar të tërheqin “emra të mëdhenj” në radhët e veta. Celsi është kampion i Anglisë, por Konte është i ndërgjegjshëm se sezoni tjetër do të jetë ndryshe, shumë më i vështire, midis të tjerave, edhe sepse “blutë” e Londres do të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që sezonin e kaluar ata qëndruan jashtë konkurrimeve evropiane. Celsit i duhet një format edhe më i madh për këtë sezon, duke pasur parasysh edhe faktin se në prag të largimit është sulmuesi i saj më i mirë, Diego Kosta.

“Gazeta delo Sport” shkruante dje se Konte është nxehur me kryesinë e klubit të vet, për shkak të mungesës së aktivitetit në tregun e transferimeve. Thuhet se radhëve të “bluve” të Londrës do t’u shtohet sulmuesi i fuqishëm Romelu Lukaku i Evertonit, por, deri tani, nuk ka asgjë konkrete. Në dallim nga Celsi, Mançester Siti, tanimë, ka blerë Bernardo Silvën nga Monako dhe portierin Ederson nga Benfika, Junajtidi ka nënshkruar kontratë me mbrojtësin e ri të talentuar, Viktor Lindelof, ndërkohë që pranë transferimit në “Old Traford” është edhe Alvaro Morata i Realit.

Sfidanti.al