Klop, përse je në vend të katërt të trajnerëve për rrogën?!

Pavarësisht ndërprerjes së Premier Ligës, ai mbetet në prag të fitimit të titullit, mëse të merituar. Jurgen Klopi po udhëheq Liverpulin drejt kampionatit të parë në 30 vjet, dhe me diferencë “të hatashme” ndaj Mançester Sitit, është po ashtu kampion i Europës në fuqi (edhe pse i eleminuar), por përsa i përket “xhepit” nuk është i pari. Ka tre trajnerë të tjerë që fitojnë më shumë sesa ai, përfshi rrogën dhe të ardhura të tjera nga sponsorë.

Klopi merr “vetëm” 24 milionë euro në vit, duke lënë pas Murinjon dhe Zidanin, përkatësisht të Totenhemit e Realit, me nga 23. Veçse, Diego Pablo Simeone i lë të gjithë “me gisht në gojë”, me fitimet e tij prej 40.5 milionë eurosh në vit. Antonio Konte fiton 30 milionë tek Inter, dhe Pep Guardiola 27 tek Mançester Siti. Tek futbollistët, numri 1 për vitin e kaluar doli Lionel Mesi me 131 milionë euro, duke lënë pas rivalin e tij të madh, Kristano Ronaldo me 118, dhe Nejmarin me 95.

Sfidanti.al