Solidariteti është një fjalë që ka ekzistuar edhe më parë, por ka qenë më e vështirë që të zbatohej “pikë për pikë”. Në epokën përpara prodhimit me makineri, nuk kishte “bollëk” dhe viktimat liheshin prapa, por sot mund të veprohet ndryshe. Kështu do të bëjnë klubet e Bundesligës, të cilët janë gati të ulin rrogat e yjeve të fushës, për të mbajtur punonjësit e zakonshëm të tyre. Mediat raportojnë se Bajerni llogarit të ulë 20 për qind pagat e futbollistëve, dhe në këtë mënyrë do të kenë mundësi të paguajnë pa problem punonjësit e shumtë. Shefat Rumenige, Kahn e Salihamixhiç kanë biseduar me lojtarët kryesorë si Nojer, Myler, Kimih, Levandovski, Alaba dhe Tiago Alkantara.
Tek Dortmundi do të ketë ulje me 10 për qind nëse Bundesliga rifillon pa spektatorë, dhe 20 për qind nëse nuk luhet fare. Klubi ka ndërmend të mbajë në punë rreth 850 punonjës, ndërsa një veprim të tillë pritet ta bëjë edhe Shalke, besohet edhe klubet e tjerë. Në Gjermani, ka edhe një faktor që ndihmon, pasi klubet e Bundesligës kanë kritere të rrepta për pagesat e lojtarëve. Borderoja e pagave nuk duhet të kalojë 55 për qind të të ardhurave vjetore (tek Dortmundi është 140 milionë), ndërsa në Spanjë, Itali apo edhe Angli shpesh shkon deri në 70-80 për qind, duke mos lejuar shumë vend për “manovrim”.
Sfidanti.al