Klaus Gjasula e Armando Broja, mesazhe nga përvoja e “karantinës”!

Nuk mund të kënaqet në Bundesligë në sezonin e tij të parë. Klaus Gjasula, luftëtari i Paderbornit, është i detyruar të izolojë veten, ashtu siç thuhet se duhet të bëjnë të gjithë, ndërsa nuk harron edhe të japë mesazhe për shqiptarët. Jo më kot, ai është një nga futbollistët më të mirë të ekipit të sotëm përfaqësues, ndaj edhe ndjen përgjegjësinë ndaj tifozëve dhe për të gjithë qytetarët e vendit. Edhe ai vetë e ka bërë testin e virusit dhe përgjigja ishte negative.

Në një deklarim, mesfushori flet nga Gjermania. “Uroj që gjithçka të kalojë sa më shpejt dhe sa më lehtë, – u shprehet ai, – me rëndësi është që të respektohen rregullat dhe njerëzit të mos dalin nga shtëpia. Edhe ne, këtu në Gjermani, nuk po dalim, ndonëse nuk është aspak e lehë”.

Në izolim edhe ai që do të jetë futbollisti më i ri i Shqipërisë, Armando Broja. Sulmuesi 18-vjeçar, që tashmë ka firmosur kontratë profesioniste dhe është bërë pjesëtar i ekipit të parë të Çelsit në Premier Ligë, jep një intervistë pikërisht për izolimin, ndërsa flet për faqen zyrtare të klubit.

“Edhe pse në shtëpi, po stërvitem shumë, që të rikthehem në formë kur të fillojnë ndeshjet, – thotë Broja, – kam përdorur shumë Instagramin, kam luajtur lojra të ndryshme, por edhe kam mësuar që të gatuaj, dhe po ndihmoj mamanë”.

Broja ka postuar edhe një video që nga shtëpia ku qendroni izoluar, duke treguar aftësinë e tij për të xhongluar, veçse në vend të topit, ai ushtrohet me një top me letër higjenike.

Sfidanti.al