Guardiola, më i nxehur me Agueron se me barazimin ndaj Spërsave!

Një lojtar i tij arriti ta quante VAR-in deri edhe “m..” (Gabriel Zhezusi), por ky nuk mund të jetë kurrë stili i Pep Guardiolës. Trajneri i Mançester Sitit u hidhërua shumë për pikët e humbura në “Etihad” ndaj Totenhemit, me barazimin 2-2 në Premier Ligë, padyshim edhe me vendimet e VAR-it, por duket se më shumë u acarua me yllin e tij, Kun Aguero. Rekordmeni i golave për klubin nuk i shpëtoi një “dushi të nxehtë” që në fushë, në momentin e zëvendësimit, me Pepin që nuk mund ta përtypte dobësinë taktike apo atë para portës të të besuarve të tij.

Siti dominoi ndeshjen ndaj një rivali shumë të fortë, duke gjuajtur 30 herë në kuadrat, ndaj vetëm 3 të Totenhemit, duke pasur topin në këmbë 56 për qind, kornet 13-2 dhe gjuajtjet në portë 10-2. Në mënyrë të pabesueshme, Spërsat shënuan me dy gjuajtjet e vetme në kuadrat. Kjo iu duk e papranueshme Guardiolës, pra që një ndeshje kaq e dominuar të mos fitohej, në një sezon të vështirë ku gabime të tilla mund të kushtojnë titullin në maj. Liverpuli fitoi 2-1 në fushën e Sauthemptonit, ndaj Siti nuk mund t’i lejojë vetes asnjë hap fals.

Sfidanti.al