Guardiola mbron yjet e tij, por turpi ishte se Siti u mund nga një “liliput”!

Nuk është aspak shenjë e mirë kur humbet kështu. Në Angli kanë nisur të dyshojnë nëse Mançester Siti është në nivelin e duhur për të fituar një tjetër titull kampion, dhe kjo pas disfatës ndaj një Noruiçi më shumë sesa modest. Pep Guardiola nuk ngurroi t’i jepte gjithë besimin lojtarëve të tij, pavaësisht rënies në stadiumin “Karrou Roud”, por në jetë më shumë vlejnë faktet sesa fjalët.

“Nuk mund të shmangësh plotësisht gabimet në futboll, – tha katalanasi, – ja që kjo ndodhi. Noruiçi është një skuadër shumë e mirë, pavarësisht mungesave, dhe luftoi fort. Unë kam 100 për qind besim tek futbollistët e mi, as nuk mendoj t’i hedh poshtë për një humbje. Së bashku fituam dy tituj radhazi, së bashku do të përpiqemi të fitojmë të tretin”.

Sa do të jetë e mundur që Siti ta bëjë këtë? Liverpuli është shkëputur 5 pikë pasi janë luajtur vetëm 5 ndeshje këtë sezon në Premier Ligë, dhe ndonëse gjithçka është e hapur, shenjat nuk janë të mira. Edhe më të rëndë e bën dështimin, krahasimi mes dy ekipeve.

Një skuadër me vlerë vetëm 110 milionë paundë stërlina, arriti të thyente një superfuqi, me një ekip që kushton mbi 1.1 miliardë paundë stërlina. Jo vetëm kaq, por diferenca ishte shumë me e madhe, sepse trajnerit të Noruiçit, Daniel Fark, i mungonin plot 11 futbollistë, ndërsa Pep Guardiolës shumë më pak. “Deili Meil” informon se formacioni vendas këtë herë vlente vetëm 6 milionë paundë stërlina, ndërsa titullarët e hedhur në fushë nga Guardiola arrinin në mbi 400 milionë.

E tillë ishte diferenca, por kjo nuk u kuptua në fushën e stadiumit “Karrou Roud”, në tribunat e të cilit ishin mbi 27 000 spektatorë. Kishin kaluar ndoshta 25 vjet që nga emocionet e fundit të forta për këta tifozë, atëherë kur skuadra e tyre e zemrës luante në Kupën UEFA dhe eleminonte Bajernin e madh të Mynihut, si dhe ndeshej si e barabartë me Interin e Milanos.

Sfidanti.al