Angli, përse u përçave për Stërlingun dhe Gomezin!

Një “hata” paska ndodhur në kombëtaren angleze, dhe trajneri Garet Sauthgejt paska marrë një vendim. Rahim Stërling është përjashtuar nga ekipi pas një sherri me Xho Gomezin, diçka që ishte rrjedhojë e konflikteve mes tyre në duelin e Premier Ligës, Liverpul-Mançester Siti. Sipas, mediave angleze, vendimi i trajnerit nuk është pritur mirë nga një pjesë e skuadrës, që mendon se ishte tepër i rëndë. Kjo, sipas “Deili Meilit”, ka krijuar përçarje në skuadër në prag të ndeshjes me Kosovën.

Dy lojtarët u përplasën në “Anfild” të dielën, dhe duket se Stërlingu  nuk e kishte harruar këtë gjë. Ai besohet se e sulmoi i pari Gomezin, duke i shkaktuar edhe një gërvishtje në faqe (në foto). Vendimi i Sauthgejtit u kritikua nga ish-ylli i Anglisë, Rio Ferdinand. “Unë kam qenë në kombëtare në shumë ndeshje, kam edhe përvojën tek Mançester Junajtid, – tha ai, – këto gjëra ndodhin në futboll, unë kam parë goditje në kokë, grushta. Ishte diçka që duhej mbajtur brenda familjes, ndërsa tani është bërë publike dhe do të krijojë shqetësime”.

Sfidanti.al