Kombëtarja nis “me përtesë” punën për Andorrën, e nxisin “shakatë e kripura” të Rejës!

Fillimi është gjithnjë i ngadalshëm, dhe s’ka si ndodh ndryshe. Futbollistët e kombëtares ishin të lodhur pas ndeshjeve të fundjavës në Europë, dhe udhëtimit drejt Shqipërisë, ndaj edhe fillimi i punës nga trajneri Reja ishte me ritëm të ulët. Vëmendja është tek duelet përmbyllëse në Europian, ndaj Andorrës dhe Francës, dhe po ashtu tek përqëndrimi i detyrueshëm tek dueli i parë në “Elbasan Arena”.

Dy portierët, Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha u kursyen në seancën e parë, ndërsa nuk munguan më pas, duke i ruajtur nga dëmtimet e lehta të pësuara në Itali. Sulmuesi Bekim Balaj u stërvit i veçuar, pasi pati edhe ai një lëndim, ndërsa Selahi e Trashi u impenjuan më pak se të tjerët, për shkak të lodhjes. Me vonesë Berat Gjimshiti, që nuk pati mundësi të kapte në kohë fluturimin nga Italia për në Rinas.

Reja u duk i qetë, madje bëri edhe shaka, duke paralajmëruar se do të vendosë gjoba për ata që vonohen për të dalë në fushë në kohën e duhur. Duket se shakaja ishte për Memollën e Manajn, që mbërritën pa shokëve. Trajneri i përfaqësueses duhet të mendojë për formacionin ndaj Andorrës, pa Mavrajn, Sadikun e Cikalleshin të dëmtuar, si dhe pa Gjasulën, të pezulluar. Po ashtu, italiani duhet të ketë parasysh për të kursyet energjitë dhe për të pasur alternativa për ndeshjen e së dielës ndaj Francës.

Sfidanti.al