Nuk ishte mbrëmja më e mirë, por edhe kështu ia del mbanë. Xhejms Harden, jo më kot është shënuesi më i mirë i sezonit në NBA, dhe forma e tij po i bën shumë punë Hjustonit. Skuadra nga Teksasi arriti një fitore rrugës, siç thonë në Amerikë, pra në fushë kundërshtare, duke iu imponuar Nju Orlinsit me shifrat 122-116. Harden shënoi 39 pikë, kapi 4 topa në tabela e shërbeu 9 asistë, ndonëse gaboi shumë në gjuajtje, sidomos në ato nga largësia.
U desh një frymëzim në pjesën e katërt dhe të fundit që të krijonte shkëputjen e Hjustonit. Basketbollisti me numrin 13 ndihmoi edhe me dy vjedhje topi, dhe një bllokim gjuajtjeje, ndërsa ndihmësi i tij më i mirë ishte Rasëll Uestbruk. Ylli i ardhur nga Oklahoma shënoi 26 pikë, por po ashtu gaboi shumë për tri pikë.
Kjo bëri që Nju Orlinsi të pretendonte fitoren, edhe pse ka mbetur pa Entoni Dejvisin, madje ishte edhe pa shënuesin më të mirë të sezonit, Brandon Ingram. Hjustoni mban vendin e tretë në Konferencën Perëndimore me 7 fitore e 3 humbje, ndërsa Hardeni është realizuesi më i mirë i NBA-së deri tani, me mesataren mbi 37 pikë për ndeshje.
Sfidanti.al