Andorra do pikë ndaj Shqipërisë: Synojmë vendin e pestë në grup!

Kur luajti ndaj nesh nuk pati asnjë shans, por këto eleminatore mund të quhen historike. Andorra, e mundur 3-0 nga Shqipëria në fushën e saj, arriti fitoren e parë në historinë e eleminatoreve Europiane e Botërore, duke mundur Moldavinë në tetor, e duke pasur më në fund mundësi për të luftuar për diçka.

Trajneri Koldo Alvarez po e përgatit skuadrën e tij, me synimin që të arrijë vendin e parafundit në grupin eleminator H në Euro 2020, në konkurrim me Moldavinë. Kombëtarja e shtetit tepër të vogël është me moral të lartë pasi më në fund e pati një fitore pasi i kishte humbur të 56 ndeshjet e mëparshme eleminatore të Europianit.

“Ne kemi një shans historik që të dalim në vendin e pestë në grup, – tha Alvarez, – kjo është diçka që nuk ka ndodhur kurrë, dhe ne duhet të japim maksimumin për t’ia dalë. E dimë sesa e vështirë do të jetë ndaj Shqipërisë dhe Turqisë, por ne do të bëjmë tonën. Moldavia po ashtu ka ndeshje shumë të vështira. Nuk mund të bëj parashikime, por më e rëndësishme është përballja me Shqipërinë, pasi është ajo e radhës”.

Lojtari më i dalluar i Andorrës është Mark Vales, që luan për Sandefjordin në Norvegji, ndërsa futbollistë si Mark Garsia, Maks Jovera apo Albert Alavedra janë në ligat e ulëta në Spanjë. Pjesa tjetër e kombëtares luan në kampionatin vendas. Andorra ka 3 pikë në renditje, po aq sa Moldavia.

Sfidanti.al