Po Gjermaninë do ta ndjekë “mallkimi” i kampionit të Botës?

“Pancerat” gjermanë janë një ndër ekipet më të plotësuar në këtë Botëror dhe, me të drejtë, konsiderohen si favoritët kryesore për titull. Pritet që ekipi përfaqësues gjerman të kalojë lehtësisht në fazën knock-out. Sidoqoftë, kyçi i suksesit të Gjermanisë është trajneri Joakim Lëv që e udhëheq atë që nga viti 2006 dhe ka arritur mjaft suksese. Por, ka diçka që është kundër ekipeve kampionë të botës dhe ky është një “mallkim” që i ka ndjekur ata gjithmonë gjatë dekadave të fundit. Më 1998, Franca u bë kampione bote, kurse Botërorin e ardhshëm,2002, ajo nuk arriti që të kalojë fazën e grupeve.

E njëjta gjë ndodhi me Italinë që u shpall kampione bote më 2006, por, në kampionatin botëror të vitit 2010 nuk doli dot nga grupi, ndërkohë që Spanja që fitoi Botërorin e Afrikës së Jugut, më 2010, nuk e kaloi dot grupin më 2014. Sidoqoftë, gjermanët kanë një ekip të rinjsh që duan ta provojnë veten në nivel përfaqësues. Nuk ka më Lahm, Shvainshtajger, Podolski, Klose, Mertesaker… dhe në vend të tyre tani luajnë lojtarë të rinj.

Avantazhi i Gjermanisë është se ajo nuk varet nga një lojtar, pasi bëhet fjalë për një ekip homogjen, ku të gjithë japin kontributin e tyre. Në ndeshjet kualifikuese, gjermanët kanë luajtur, kryesisht, me skemën 4-2-3-1 dhe, nganjëherë, 3-4-1-1 ose 3-5-2, gjithnjë në varësi të kundërshtarit. Një motiv i fortë  për sukses janë dhjetë fitoret fantastike në dhjetë ndeshje, si edhe golavarazhi +39!

Sfidanti.al