Operacioni i “përmbyjes” së Juventusit,për dreq “ferri” quhet Atletiko Madrid

Nëse ndonjë ekip tjetër do të ishte mundur 2-0 nga Atletiko e Madridit në ndeshjen e parë të 1/8-tës së finaleve të Ligës së Kampioneve (LK), atëherë ky ekip do ta kishte pothuajse të sigurt eliminimin, por jo Juventusi… Ndërkohë, nëse Juventusi do ta kishte humbur ndeshjen e parë 0-2 ndaj cilitdo ekip tjetër dhe do ta luante ndeshjen revansh në fushën e vet, atëherë shanset do të ishin të mëdha, por… jo kundër Atletikos.
Logjika dhe arsyeja e shëndoshë thonë se Atletiko një këmbë tanimë e ka futur në çerekfinale të LK-së, por karakteri prej kampioni i Juves, avantazhi i fushës së vet, dëshira e madhe për ta treguar veten në një dritë shumë më të mirë dhe kujtimi i përmbysjes së rezultatit kundër Realit në Madrid, u jep shpresa bardhezinjve se ata mund të arrijnë ta bëjnë mrekullinë në ndeshjen e kthimit kundër një ekipi, kundër të cilit, në fakt, është e vështirë të shënosh një gol dhe jo më dy gola.
“Përpjekja për ta përmbysur rezultatin kërkon nga neve besim të madh te vetëvetja dhe ekuilibër. Ne jemi të zhgënjyer se e pësuam, për shkak të disa situatave të izoluara, por asgjë nuk ka marrë fund. Megjithëse atë që ndodhi, ne, pak a shumë, nuk e prisnim, e dinim se kundër Atletikos është e vështirë të luash. Në ndeshje u krijuan disa situata që ishin në favor të kundërshtarit tonë. Atletiko është një ekip që krijon probleme jo vetëm për neve, por për të gjithë ekipet”, vuri në dukje një nga lojtarët kryesorë të Juventusit, Xhorxho Kielini, duke shtuar se Juvja duhet të shënojë një gol të shpejtë, të luajë rrjedhshëm, të tregohet më aktive dhe t’i shfrytëzojë shanset që do t’i krijohen.
Sfidanti.al