Mos e tepro Solskjer! Rashfordi ka goditjen e Kristiano Ronaldos..?

Mançester Junajtidi arriti fitoren e katërt radhazi, qëkur ekipin e mori trajneri i rij, Ole Solskjer, që zëvendësoi në stolin e drejtimit të “djajve të kuq” trajnerin Zhoze Murinjo të shkarkuar. Junajtidi në ndeshjen e parë të vitit të ri mundi 2-0 Njukasllin në fushën e këtij të fundit dhe kështu duket se të gjithë në “Old Trafford” janë shumë të kënaqur, midis tyre vetkuptohet edhe trajneri i ri norvegjez:
“Ne duhet të jemi gëzuar, sepse kemi arritur katër fitore në katër ndeshje radhazi. Kësaj here ne nuk pësuam gol që është një arritje e madhe”, deklaroi Solskjeri mbas ndeshjes, duke vlerësuar edhe lojën e Markus Rashfordit, shënues i njërit gol:
“Rashfordi ka goditjen e Kristianos (Ronaldos), por mua më pëlqeu në veçanti mënyra sesi ai e shënoi golin në këtë ndeshje. Fillimisht u përqëndrua dhe më pas e dërgoi topin në rrjetë. Të gjithë ne duhet ta kemi parasysh se ai është vetëm 21 vjeç”, deklaroi trajneri norvegjez.
Ndeshjen e ardhshme Junajtidi e ka të vështirë, sepse do të ketë përballë Totenhemin në fushën e këtij të fundit.
Sfidanti.al