Katastrofa e PSG-së, tjetër arsye që Mbape të largohet?!

Sheikët mund të thonë se asnjë lojtar nuk mund të largohet prej tyre. Kjo është një gjë, por vullneti i një futbollisti të madh është diçka tjetër. Kilian Mbape duhet të ketë menduar seriozisht largimin nga Paris SG, ndërsa përjetonte humbjen më të rëndë të karrierës së tij. PSG u shkatërrua 1-5 në fushën e Lilës, ekipit të vendit të dytë, dhe fakti që nuk festoi dot fitoren e titullit, ishte e keqja më e vogël.

Katastrofa mund të ketë pasoja në klub, me trajnerin Tomas Tuhel që e ka pozicionin shumë të dobësuar dhe me disa nga lojtarët që do të vihen nën akuza. Ekipi parizien në stadiumin e Lilës ishte i mirë, pavarësisht nga mungesat. Në fushë ishin Areola, Bernat, Kimpembe, Tiago Silva, Verrati, Dani Alvesh, Draksler dhe Mbape. Nejmar e Kavani, natyrisht mbeten jashtë, por kjo nuk duket arsye e mjaftë për të pësuar një disfatë të tillë.

Mbape ishte thuajse si një spektator, duke provuar një pafuqi që nuk do të ketë dëshirë ta provojë përsëri. Me shumë gjasë, sezonin e ardhshëm do të jetë tek Reali, në krah të Eden Hazarit e ndoshta edhe Pol Pogbasë. Rezistenca e sheikëve do të thyhej së pari nga dështimet e tyre për të ndërtuar një skuadër Championsi, dhe nga vullneti i Mbapesë.

Sfidanti.al