Simeone nuk harron dashuritë e vjetra, pas Kostës, Agueron!

Nuk dihet se ku do të jetë sezonin e ardhshëm Kun Aguero, por argjentinasi ka të paktën dy alternativa të rëndësishme. Së pari, Mançester Sitin, ekipin e tij të momentit, ndërsa mundësia e dytë është një kthim “në shtëpi”, tek Atletiko e Madridit. Diego Pablo Simeone, trajneri i bardhekuqve spanjollë, duket se ka mendim shumë të lartë për dashuritë e vjetra, sepse në janar ktheu në shtëpi Diego Kostën, ndërsa në verë do të synojë ta bëjë me Agueron.

Simeone nuk u kursye për Diego Kostën duke i dhënë Çelsit shumën që kërkoi, dhe nuk do të kursehet as për Agueron, ndonëse e di se do të jetë e vështirë për ta marrë. Argjentinasi 30-vjeçar është shënuesi më i mirë në historinë e Sitit, me 199 gola, ndërsa kapërceu paragjykimin e trajnerit të tij Pep Guardiola. Aguero fitoi duelin me Gabriel Zhezusin duke qenë titullar në sulm, dhe ndihmoi ekipin të fitonte Premier Ligën dhe Kupën e Ligës në Angli.

Vetë Siti ka deklaruar se nuk ka në plan të marrë sulmues tjetër si përforcim, pra Guardiola duket se do të mbështetet përsëri tek Aguero dhe Zhezus, ndaj Simeone do të duhet të luftojë fort për ta marrë.

Sfidanti.al