Shifrat 4-3-0 janë shumë të dashura për Zidanin, i kujtojnë 2017-ën

Mediat spanjolle duan ushqim të përditshëm për t’ia dhënë lexuesit apo shikuesit, dhe pas javës së 7-të të La Ligës, e kanë gjetur një tjetër “pjatë” për ta vendosur në “tavolinë”. Gazeta “Marka” vë gishtin tek bilanci i Realit këtë sezon, me 4 fitore, 3 barazime e 0 humbje (dhe me kryesimin e tabelës), duke theksuar se këto shifra janë shumë të dashura për Zinedin Zidanin.

Trajneri francez, natyrisht, ka aq përvojë dhe zgjuarsi sa të mos “fluturojë”, por “Marka” i kujton lexuesve të saj se Reali kishte këtë bilanc pas 7 javëve të para, edhe në sezonin 2016-2017. Për ata që mund ta kenë harruar, ishte sezoni kur Zidani fitoi titullin e parë dhe të vetëm në La Liga, duke lënë pas Barcelonën. Është edhe titulli i vetëm për madrilenët që nga ai i Zhoze Murinjos në 2012. Nuk dihet sesa ky bilanc mund të ndihmojë për ta fituar sërish kampionatin, por duket se Reali nuk është aq i dobët sa e thonë kritikët e tij.

Sfidanti.al