Tek Interi pati namin e “mistrecit”, për shkak të konfliktit të tij me Mauro Ikardin. Gjithsesi, Ivan Perishiç është një emër i rëndësishëm i futbollit, nënkampion i botës me Kroacinë dhe titullar i ballkanasve, ndaj Bajerni nuk dyshoi shumë kur e mori. Pa bujë, duke paguar 5 milionë euro fillimisht për huazimin nga Italia, dhe me të drejtën për ta marrë për fare verën e ardhshme, kundrejt 20 milionë eurove të tjera. Perishiç thekson se gjithnjë e ka pasur të vështirë në fillim, kudo ku ka qenë.
“Në çdo klub që kam shkuar, kam hyrë nga dera e vogël, – shprehet ai, cituar nga “Sport Bildi”, – nuk mund të them se jam nënvleftësuar, por vetëm më vonë i kam bindur drejtuesit dhe trajnerët me aftësitë e mia. Unë nuk flas shpesh në media, më shumë flas në fushë”. Mesfushori 30-vjeçar e ka bindur Karl-Hajnc Rumenigen, dhe shefi ekzekutiv bavarez thotë se “Perishiçi iu përgjigj në mënyrë absolute të gjitha parashikimeve tona”.
Ai ka shënuar 1 gol, ka ndihmuar në dy gola të tjerë dhe ka luajtur mirë për ekipin e trajnerit Kovaç. Pas hidhërimit të dështimit të kalimit për tek Mançester Junajtidi, dy vjet më parë, Ivan Perishiç ka përse të gëzohet. “Jam i bindur se Bajerni do të më mbajë verën që vjen, unë do të bëj çmos që kjo të ndodhë”, – janë fjalët e tij.
Sfidanti.al