Derbi i mungesave, disa yje mbeten jashtë duelit Real-Atletiko!

Në “Santiago Bernabeu” po llogarisin ata që nuk përgjigjen në apel dhe nuk janë aq të paktë, ndonëse Zinedin Zidan ka një skuadër me mjaft alternativa. Garet Bejl është emri i fundit që i shtohet mungesave për derbin e La Ligës ndaj Atletikos në orën 16:00. Po ashtu, mangut do të jenë Rodrigo, Naço e Brahim, të lënë jashtë nga trajneri francez, si dhe Eden Hazar, për të cilin derbi erdhi pak më shpejt sesa duhet. Padyshim, Zidan nuk është se mund të qahet pasi janë të gjithë portierët, mbrojtësit më të mirë (Ramos, Varan, Mendi, Karvahal, Marselo), po ashtu mesfushorët si Valverde, Kasemiro, Kros, Modriç, Isko e Hames Rodrigez, si dhe sulmuesit Benzema, Joviç, Vinisius e Lukas Vaskez.

Diego Pablo Simeone nuk do të ketë lojtarë të rëndësishëm si Koke e Tripier, por i sapoardhuri Karrasko është përfshirë në listë. Mungesë e madhe mbetet ajo e Diego Kostës, logjikisht sulmuesi më i fortë i Atletikos, ndonëse në listë janë Morata, Korrea, Shaponjiç e Kamejo. Pika më e fortë mbetet mesfusha me Saulin, Tomasin, Lemarin, Jorenten apo Vitolon, po ashtu porta me sllovenin Oblak. Në renditje, Reali kryeson La Ligën me 46 pikë, ndërsa Atletiko është në vend të pestë me 36.

Sfidanti.al