Barcelona me ritëm të ri, fjalët e Mesit në vesh të … Kike Setienit!

Më në fund iu kthye normalitetit, të paktën thuajse plotësisht. Futbollistët e Barcelonës u panë tepër të motivuar ndërsa u stërvitën në grupe me nga 10 vetë, në kompleksin e tyre sportiv, dhe një ndryshim i rëndësishëm u vu re. Trajneri Kike Setien mesa duket ka bërë ndryshime në metodat e punës së tij, pas kritikave të Lionel Mesit, dhe lojtarët u vu re se vepronin më shpejt me topin.

Gjithçka ishte me ritëm më të lartë, gjë që të bën të mendosh se Setien e ka kuptuar sesi duhet punuar tek Barcelona. Pak ditë më parë, kapiteni i skuadrës foli hapur duke thënë se nuk besonte se mund të fitohej Championsi me stilin sesi po luante Barcelona këto kohë. Përderisa Mesi nuk është thjesht një lojtar, por lideri dhe simboli i skuadrës e i klubit, trajneri u detyrua të reflektonte.

Lajm i mirë nga qendra stërvitore katalanase ishte prania e Luis Suarezit, pasi sulmuesi uruguajan mori leje nga mjekët për të punuar me shokët. Mesa duke tai e ka kaluar dëmtimin dhe shpejt pritet të jetë gati për lojë. La Liga mund të fillojë në 12 qershor, të paktën sipas planit të drejtuesve të futbollit, dhe katalanasit po përpiqen të fitojnë kohën e humbur, sepse nuk do të kenë më shumë se 3-4 javë në dispozicion.

Sfidanti.al