Dyshimet kanë qenë të mëdha, ashtu si edhe shpresat. Klubet shqiptarë, edhe këtë vit, ishin në ankth për procesin e licencimit, që do të thotë edhe pjesëmarrje në kupat e Europës për sezonin e ardhshëm, por duket se ka lajme të mira. Tirana, ekipi që udhëheq Superligën dhe që prej kohësh ka qenë një nga emrat me më shumë probleme në Shqipëri përsa i përket borxheve, duket se do ta kerë rrugën të hapur në Champions, gjithnjë nëse e merr titullin.
Në kohën që skuadra ka dalë në fushën e stërvitjes pas një ndërprerjeje gati 3-mujore, burime pranë klubit, pohojnë se presidenti Halili është optimist. Edhe burime tepër të besueshme në Federatë pohojnë se institucioni po punon për të rregulluar gjithçka, dhe se krerët janë të bindur se nga UEFA do të hapet drita jeshile. Vetë UEFA pritet të bëjë lëshime dhe të tregohet e butë për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Pak a shumë, siç bëri NATO në fund të dekadës së parë të viteve 2000, kur na pranoi edhe pse e kishim ushtrinë “përshesh”.
E njëjta situatë për skuadrat e tjera pretendente, si Teuta, Kukësi, Partizani, Laçi apo Bylisi, pasi që të gjithë janë në lojë. Edhe këto skuadra janë kthyer në stërvitje, dhe kanë si objektiv të realizojnë synimet nëpërmjet Superligës, por edhe Kupës së Shqipërisë. Skënderbeu, ndërkaq, edhe pse ka shanse, nuk pritet të marrë pjesë në konkurrimet kontinentale për shkak të dënimit të UEFA-s, të konfirmuar nga Gjykata e Apelit Sportiv në Zvicër. Presidenti Takaj siguron se i është drejtuar gjykatës federale zvicerane, por nuk dihet nëse procesi mund të përfundojë në kohë për të siguruar lejen për sezonon që vjen.
Sfidanti.al