Huliganët e Beogradit marrin një kërcënim të pazakontë:Do t’ju ndjek deri në ferr!

Kur luajnë Crvena Zvezda dhe Partizani i Beogradit, rrallë herë ndodh që rezultati të dalë në plan të parë, pasi këtë të fundit më shumë e zënë konfrontimet dhe rrahjet brutale të ndërsjella mes tifozëve të këtyre dy ekipeve që janë rivalë të egër në kryeqytetin e Serbisë. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e fundit që Crvena e fitoi 2-0, por më të rëndësishme sesa rezultati ishin përleshjet dhe rrahjet masive mes tifozëve të të dy ekipeve të këtij derbi.

Në fund të ndeshjes, bilanci ishte disa të dëmtuar, midis tyre edhe disa fëmijë të pafajshëm. Në këto kushte, nëna e një djali të vogël që u dëmtua në tribunën perëndimore të stadiumit, pasi ai u godit me një stol në kokë dhe përfundoi në spital, bëri prononcimin publik vijues:

“Burri im e mori djalin që të shikonte ndeshjen në stadium, por ai u godit atje me një stol në kokë. Unë do të paraqes kundër jush një akuzë që, ju, nuk e keni parë asnjëherë deri tani. Fëmija shkon në stadium që të shohë ndeshjen dhe atë e godasin me stol në kokë! Turp të keni, por, ju, nuk do ta kaloni kaq lehtë këtë. Gjeni vend, ku të futeni. Do t’ju ndjek deri në ferr, madje, edhe kur të dilni nga ai”, shkroi nëna e shqetësuar në sajtin e Crvena Zvezdës.

Sfidanti.al