Ylli vendas e fitoi sërish duelin. Kevin Durantit nuk iu drodh dora për të dytën ndeshje me radhë, dhe Golden Stejti arriti në epërsinë 2-0 në raundin e parë të plej ofit ndaj San Antonios. Përballë tij, Lamarkus Olldrixh bëri gjithçka dhe mund të thuhet se nuk ishte aspak më poshtë, por doli nga fusha i mundur.
Durant shënoi 32 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, si dhe bllokoi një gjuajtje. Olldrixh realizoi 34 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 3 asistë. Sfida e madhe e NBA-së, dikur një finale e Konferencës Perëndimore, përfundoi 116-101 për kampionët në fuqi, ndërsa të dyja skuadrat kishin nga një yll mangut. Stefën Kërri pritet të kthehet vetëm në raundin e dytë për kalifornianët, ndërsa San Antonio nuk ka shpresë për ta pasur Leonardin, i cili madje është në prag të largimit.
Përballja në “Orikëll Arena” të Oklendit ishte e fortë të paktën deri në pjesën e tretë, me San Antonion që ishte në avantazh në pushim të ndeshjes. Sidoqoftë, Golden Stejti pati më shumë talent sesa ekipi i trajnerit Greg Popoviç, ndaj edhe bëri diferencën në fund. Duranti u mbështet shumë nga kapiteni Klej Tompson që realizoi 31 pikë, ndërsa plot 9 lojtarë vendas arritën të shënonin kosha.
Kampionët në fuqi të basketbollit amerikan janë favoritë për të kaluar raundin, e pritet të arrijnë pa probleme në finalen e Konferencës Perëndimore, ku besohet se do të kalojnë provën më të vështirë, përballë Hjustonit.
Sfidanti.al