Hasani i zhgënjyer: “Nëse unë jam problemi, iki nga Shkëndija”

Sulmuesi Ferat Hasani, një nga lojtarët më të mirë të Shkëndijës së Tetovës, gjithashtu, kapiten i saj, dhe të përfaqësueses së Maqedonisë, thotë se është mjaft i zhgënjyer nga ofendimet në adresë të tij nga tifozët e Shkëndijës, kështu që ai është gati që të largohet nga ky klub, në rast se një gjë e tillë është e nevojshme.

Punët e Shkëndijës, në fakt, nuk janë aspak mirë, pas dy humbjeve radhazi të saj që çuan në refuzimin, ditët e fundit, nga kryesia e klubit tetovar të shërbimeve të trajnerit boshnjak, Bruno Akrapoviç, ndërkohë që opinionit publik iu drejtua, këto ditë, me një letër të hapur, edhe kapiteni i Shkëndijës,  Hasani, ose Buba, sikurse e quajnë atë shkurt.

“Në rast se jam problemi te Shkëndija, unë jam gati që të largohem qysh sot. Kurrë nuk e kisha menduar se do të mund t’i thosha këto fjalë, pasi bëhet fjalë për një ekip që është pjesë e zemrës sime dhe ku unë jam rritur. Të them të drejtën, mua më kanë vlerësuar në Brondbi, kurse këtu po më nënvlerësojnë”. Ndërkohë, ditët e fundit, u prononcua edhe vetë klubi tetovar, sipas të cilit, Hasani do të vazhdojë që të qëndrojë te ky klub.