Ishte minuta e 107 e takimit, kur arbitri Jorgji vërshëlleu përfundimin e ndeshjes Partizani – Skënderbeu. Duhet të ishte një ndeshje normale, por që u ndërpre gjatë pas një përleshje absurde midis forcave të rendit dhe tifozëve të ardhur në Elbasan nga kryeqyteti. Që përpara ndeshjes u fol për masa të ashpra nga forcat e rendit, si dhe një prani e shtuar e tyre në stadium dhe jashtë tij. Por nganjëherë, kur janë shumë, nuk janë edhe aq të dobishëm. Skuadra e kuqe e ka dominuar pjesën më të madhe të takimit ndaj Skënderbeut, madje për të qenë më të saktë, deri në të 61’, kur gjyqtari nxjerr kartonin e kuq për Kalarin. Ndërsa në të 83’ ndeshja u ndërpre, për shkak të një faulli të Vangjelit kundër Torasës, i cili meritoi kartonin e dytë të verdhë, por që vetëm e vonoi disi, duke kërkuar ndihmën e mjekëve dhe ambulancës.
Më pas nuk mund të flitej më për ndeshje dhe gjithçka përfundoi aty me rezultatin 0-0. Pikërisht në atë kohë, policia ndërhyri në sektorin ku ishin vendosur tifozët e Partizanit, duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe gaz lotsjellës. Ndërsa në vazhdim u shkatërruan stolat, situata u agravua dhe dy tifozë (njëra prej tyre vajzë), u transportuan nga shkallët në fushë, pothuajse pa ndjenja, madje vajza u dërgua me autoambulancë në spitalin e qytetit.
Për sa i përket takimit, pjesa e parë ishte e mbushur me raste të shumta të skuadrës së Starovës, ku Ekuban, Torasa dhe Trashi humbën sa mundën, ndërsa në të 15’ argjentinasi ishte edhe i pafat, pasi topi i goditur prej tij u përplas në shtyllën e djathtë të portjerit Shehi. Edhe në pjesën e dytë, në fund rastin më të mirë e kishte Ramadani, në të 101’. Ndërsa Skënderbeu as që i ngjan atij të edicioneve të fundit. Agostineli kishte ndërruar edhe skemën që kampionët luanin prej gjashtë vjetësh dhe sot ishte vetëm me një sulmues në majën e sulmit, duke e izoluar totalisht Salihin. Trajneri Italian tha përpara ndeshjes që për ekipin e tij do të ishte pak një pikë, por donte të bënte një ndërrim në të 106’, pas më shumë se një minutë përpara vërshëllimës përfundimtare të Enea Jorgjit.
Saimir Demi