Fitore dhe eleminim për Skënderbeun, krenaria shqiptare ndaj Dinamos nuk mjafton!

Sukses, por edhe eleminim. i tillë ishte përfundimi i ndeshjes së Skënderbeut në Ligën e Europës ndaj Dinamos së Kievit. Përkundër gëzimit të madh të një fitoreje të rëndësishme, 3-2, të parës në fazën e grupeve, shqiptarët patën edhe dëshpërimin e shuarjes edhe të shpresave të fundit.

Gabimet e mëparshme, më shumë nga mungesa e përvojës sesa nga pazotësia e ekipit të Dajës, bënë diferencën ndaj Dinamos së Kievit dhe Partizanit të Beogradit që do të jenë edhe në pranverë, në Europë.

Triumfi mund të thuhet se u arrit falë rrethanave, pasi ukrainasit erdhën shumë të dobësuar në “Elbasan Arena”, por nuk mund të mos theksohet edhe fakti tjetër që Skënderbeu luajti pa asnjë tifoz në shkallët e stadiumit, një minus jo i vogël.

Pasi miqtë kaluan të parët në epërsi me golin e Cigankovit, korçarët u përgjigjën shpejt me barazimin e Sabien Lilajt. Pas pushimit, bardhekuqtë bënë diferencën me rrjetat e dy sulmuesve të huaj, Xhejms Adenijit dhe Ali Souesë.

Fitorja mund të kishte qenë më e thellë, por edhe mund të kishte shpëtuar nga duart në minutat e fundit. Të dyja skuadrat patën raste, por pikërisht në minutën e fundit Dinamo shkurtoi diferencën me golin e shënuar nga Rusin. Vetëm fati e shpëroi skuadrën e Ilir Dajës nga pësimi i golit të tretë në sekondat përmbyllëse.

Me këtë fitore, Skënderbeu u ngjit në vendin e tretë në grup, mbi Jang Bojsin, por këtë pozicion duhet ta mbrojë në ndeshjen e fundit, pikërisht ndaj kësaj skuadre në Zvicër.

Sfidanti.al