Kur Bajerni e fut “djallin” në shishe…

Zhoze Murinjo, pak kohë më parë, e dërgoi Bastian Shvainshtaigerin që të luante me ekipin rezervë të Mançester Junajtidit, duke treguar hapur, kështu, se ky futbollist, pjesëtar i përfaqësueses gjermane, nuk bën pjesë në planet e tij të ardhshme në “Old Trafford”.

Tani, Interi dhe Milani kanë treguar interesim për shërbimet e tij, por nuk përjashtohet edhe një kthim i tij në “Aliance Arena”. Në një situatë tillë, në ofensivë kundër Manëester Junajtidit u hodh funksionari i lartë i Bajernit të Mynihut, Karl-Hainc Rumenige.

“Të them të drejtën, nuk më besohet. Tani, futbollistë gjermanë të tjerë do të mendohen mirë, nëse do të duan që të shkojnë në një klub të tillë. Asgjë e ngjashme nuk mund të ndodhë kurrë në klubin tonë (Bajern i Mynihut)”, vuri në dukje Rumenige. Në të njëjtën mënyrë, reagoi edhe trajneri i njohur gjerman, Otmar Hitcfeld. “Kjo është një mungesë respekti kundrejt një futbollisti të tillë të rëndësishëm. Kjo është një lloj metode që unë nuk e njoh. Shvainshtaigeri është një kampion bote dhe një njeri me karakter të vërtetë që e do aq shumë futbollin”, deklaroi Hitcfeldi.