Kthehen Levandovski e Gnabri, Flik nuk do “çmenduri” për Bajernin!

Katari ishte një “shesh beteje” për një “luftë civile” të bavarezëve. Trajneri Hansi Flik kërkoi përforcime publikisht duke thënë se “gjendja e personelit është e dobët”, ndërsa drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç u përgjigj me zemërim se “këto deklarata nuk janë shumë të mira, unë e mbikqyr trajnerin”. Tashmë, kanë kaluar disa ditë dhe Bajerni është në Gjermani, e Hansi Flik sikur është pak më i qetë. “Kur i thashë ato fjalë ishte gjendje tjetër, – tha ai, – tani na janë kthyer Levandovski dhe Gnabri, pra kam më shumë alternativa. Jam i kënaqur me mënyrën sesi po ecin gjërat”.

Gjithsesi, kampionët kanë ende probleme pasi mungojnë Niklas Zyle, Lukas Hernandez apo Kingsli Koman, që të gjithë lojtarë të rëndësishëm. “Ne nuk duhet të bëjmë çmenduri, – thotë Fliku, – nuk duhet të marrim lojtarë për shkak të panikut se na duhen me patjetër. Nuk do marrim lojtarë që nuk na bindin. Ndonjëherë, kur ka dëmtime nga lojtarët kryesorë, mund të jetë shans i të rinjve siç ishte Zirkze”. Sidoqoftë, flitet se Bajerni ia ka vënë syrin mbrojtësi belg Mënie të Paris SG dhe Zhoao Kanselos së Mançester Sitit.

Sfidanti.al