Zyle do të largohet nga Bajerni, klubi ka një listë me zëvendësues

Pas Zherom Boatengut e sidomos David Alabës, bavarezët humbasin një tjetër qendërmbrojtës. Burime të mirëinformuara në klub bëjnë me dijë për mediat në Mynih se Niklas Zyle do të largohet nga Bajerni në fund të sezonit. “Sport Bild” dhe “Sport1” shkruajnë se mbrojtësi i Gjermanisë e ka ndarë mendjen për një përvojë të re. “Sport Bildi” shkruan se 26-vjeçari i ka njoftuar drejtuesit për vendimin e marrë, lëvizje që e godet rëndë Bajernin, sepse jo vetëm humbet një lojtar të klasit të parë, por edhe e humbet me parametër zero. Fiks, skenari i Alabës! Vetë klubi kishte bërë lëvizjen e tij, por edhe në formë ultimatumi. Presidenti Hainer tha se “ne kemi bërë ofertën tonë, dhe Zyles i takon ta pranojë ose jo, por kjo duhet të bëhet brenda një kohe të caktuar”. Zyle nuk ka pranuar rrogën e caktuar prej 10 milionë eurosh në sezon, ndërsa në “Zebener Shtrase” po mendojnë për Kristensenin dhe Rydigerin e Çelsit, Denis Zakarianë e Gladbahut, De Ligtin e Juventusit, Shloterbekun e Frajburgut dhe Ginterin gjithashtu të Gladbahut.

Sfidanti.al