Nuk ishte fajtor arbitri i ndeshjes së sotme, gjermani Feliks Brih. “Proçka” u bë nga vendimi i përballjes së parë, ku Zvicra fitoi 1-0 në fushën e Irlandës së Veriut, rezultat që ndikoi drejtpërdrejt në eleminimin e britanikëve dhe në shkuarjen e zviceranëve në Botëror. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi (zëvendësues) ishin ndër helvetët që ishin në fushë në stadiumin e Bazelit, në barazimin 0-0, shifra që i mjaftuan të zotëve të shtëpisë.
Tepër e fortë loja në “Sent Jakob Park”, në një pasdite vonë me reshje shiu. Irlanda e Veriut, e përkrahur nga qindra e qindra tifozë me zemër të madhe luftoi deri në fund, madje pati një rast pikërisht në sekondat përmbyllëse. Gjithsesi nuk ia doli dhe Zvicra do të jetë në Botërorin e katërt radhazi, një sukses i madh për një ekip përfaqësues që kishte qenë vetëm 2 herë në Botëror nga 1958-ta deri në 2002-in.
Sfidanti.al