Ziko, legjenda që mban Tojotën e 1981-it, ndryshe nga yjet e sotëm të harbuar!

Ka qenë dhe mbetet padyshim një nga më të mëdhenjtë. Ziko, pjesëtar i plejadës së yjeve brazilianë të futbollit është nga legjendat e pakta të vërteta që nuk e lidh statusin dhe jetën e tij me markën dhe çmimin e makinave. Në moshën 68-vjeçare, Ziko ende nget makinën Tojota Çelika, të cilën e fitoi në vitin 1981, pasi u shpall lojtari më i mirë i finales së Kupës Interkontinentale mes Flamengos së Brazilit dhe Liverpulit të Anglisë.

Kompania Tojota ishte sponsore e finales së kupës së atëhershme të botës për klubet dhe Ziko shkëlqeu, edhe pse nuk shënoi asnjë nga golat në ndeshjen që përfundoi 3-0. Kanë kaluar thuajse ekzaktësisht 40 vjet, por legjenda braziliane nuk ndahen nga makina e tij, edhe pse mund të ketë edhe ndonjë automobil më modern.

Ata që e kanë ndjekur futbollin e atyre viteve nuk kanë nevojë t’u kujtosh se kush ishte Ziko, por për brezin më të ri duhet thënë se ai mbante fanelën me numrin 10 në Brazilin e Kupës së Botës 1982, e cilësuar nga shumëkush si kombëtarja më e madhe që ka luajtur ndonjëherë, edhe pse nuk e fitoi Botërorin. Ai ka shënuar 101 gola nga goditja e dënimit, ndoshta rekordmen botëror, ndërsa në karrierë pati mbi 500 gola. Ai fitoi 21 trofe të mëdhenj si lojtar dhe si trajner dhe cilësohet si një nga më të shquarit e futbollit për të gjitha kohët.

Sjellja e Zikos është në kontrast të plotë me shumë nga yjet e sotëm të sportit, të cilët janë të dashuruar pas makinave më luksoze. Padyshim, karakteristikë e dikujt që di t’i vlerësojë drejt elementët e lumturisë në jetën e njeriut.

Sfidanti.al