Vërshëllimat në Paris ndaj Gjokoviçit ishin sulmi ndaj një njeriu të lirë!

Natyrisht, sot nuk jemi në kohët e mesjetës kur turma të zinte me gurë e të merrte jetën. Ky sistem ka forma të tjera përpunimi të opinionit dhe reagimi, të cilat thjesht të “vrasin” duke të lënë në skajet e vetë sistemit, në skajet e shoqërisë, dhe duhet të jesh me karakter shumë të fortë që t’ia dalësh. Novak Gjokoviç pati trajtimin armiqësor të radhës në një turne në Perëndim, dhe pas përjashtimit nga Australia, u vërshëllye në ndeshjen e të tetave të finaleve ndaj Shvarcmanit në Paris. Tenisti numër 1 i botës synon të fitojë Grand Slemin “Rolan Garos” dhe të arrijë në 21 grand sleme në karrierë (baraz me Nadalin), ndërsa një pjesë e publikut e vërshëlleu dhe lëshoi thirrje kundër tij, sigurisht për faktin se ai nuk është vaksinuar dhe se nuk ka dëshirë të vaksinohet. Në Parisin e revolucioneve, ku u ngrit dikur flamuri i barazisë, lirisë dhe vëllazërisë, këto parime janë harruar nga një pjesë e njerëzve, të “bombarduar” nga një media (aspak) e lirë që i bën jehonë zemërimit të kompanive të biznesit ndaj një njeriu të lirë që qoftë edhe për një gjë të vetme ka dalë kundër fitimit.

Sfidanti.al