Estudiantesi i Buenos Airesit është një nga klubet më të shquar në Argjentinë dhe në të gjithë botën. Për fat të keq, ai sot është në vështirësi të mëdha financiare, veçse për fat të mirë ka një “djalë” që nuk e ka harruar. Ky djalë quhet Huan Sebastian Veron dhe besoj se të gjithë e mbani mend argjentinasin virtuoz, që shkëlqeu me Lacion, Mançester Junajtidin, Interin apo Çelsin. E pra, Veron ka firmosur një kontratë 18-mujore me Estudiantesin, skuadrën me të cilën nisi karrierën, madje duke vendosur që t’ia falë krejt rrogën, mjaft që ta ndihmojë. Ish-organizatori është sot 41 vjeç dhe për t’i bërë mirë Estudiantesit vendosi të rikthehej në futboll, edhe pse kishte deklaruar largimin dy vjet më parë.