Ana Ivanoviç nuk do të jetë më në fushat e tenisit. Vetëm pak ditë pas lajmit tronditës të tërheqjes së kampionit të Niko Rosbergut, ja edhe një figurë e shquar e sportit që thotë “boll”. Tenistja serbe, një nga më të bukurat e këtij sporti, duket se nuk ka më dëshirë të sakrifikojë në stërvitje dhe në regjim, ndërsa pëlqen të kalojë një jetë normale me të shoqin, futbollistin e njohur të Gjermanisë, Bastian Shvajnshtajger. Duket se për të dy yjet e sportit “pensioni” ka ardhur në të njëjtën kohë, nëse mund të thuhet kështu, pasi ata janë në të vërtetë shumë të rinj në moshë. Një nga çiftet më të shquar sigurisht që nuk do të mungojë nëpër media, pasi fotografët, kameramanët dhe gazetarët do të rendin vazhdimisht pas tyre. Ivanoviç pati një karrierë të bukur, duke fituar edhe titull Grand Slemi dhe padyshim është tenistja më e njohur që ka nxjerrë Serbia, që pas Monika Seleshit.
“Të dashur tifozë dua të ndaj me ju lajmin e lënies së sportit nga ana ime, – deklaroi ajo në rrjetet sociale, – për shkak të dëmtimeve nuk mundem të jem më në nivelet e larta ku unë dua të jem. Në karrierë fitova tre Grand Sleme, fitova Kupën e Federatave dhe 15 turne WTA, ndaj nuk duhet të jem shumë e dëshpëruar. Tani do të merrem me aktivitete bamirësie me UNICEF-in”.