Vazhdon Botërori i suprizave, Maroku shtang Belgjikën!

Në të vërtetë, “djajtë e kuq” e kishin treguar dobësinë e tyre që në ndeshjen e parë në grup, atë ndaj Kanadasë, pavarësisht fitores minimale 1-0. Këtë herë, Belgjika pati përballë një ekip më të fortë dhe e pagoi formën aspak të kënaqshme të shumicës së futbollistëve, që duken krejt ndryshe nga ata që ishin në Kupën e Botës në 2018 në Rusi apo në Euro 2020. Maroku triumfoi 2-0 duke shkaktuar një tjetër të papritur të madhe, pas atyre që realizuan Arabia Saudite dhe Japonia, përkatësisht ndaj Argjentinës e Gjermanisë.

Abdelhamid Sabiri dhe Zakaria Abuhal ishin autorët e golave për “luanët e maleve Atlas”, që kanë tashmë një histori në kupat e botës dhe që mbahen mend për atë që bënë në Meksikë në 1986 duke i marrë pikë Anglisë, duke u kualifikuar për në raundin e dytë, e duke u mundur vetëm me penallti nga nënkampionia e botës, Gjermania Perëndimore. Këtë herë ata merituan gjithçka, ndërsa Belgjika nuk mund të shpëtohej nga një Kurtua apo De Brujne. Lukaku e ndjeu periudhën e dëmtimit, Eden Hazar dihet se nuk është ai që ka qenë, ndërsa mbrojtësit dihej që ishin të ngadalshëm. Tashmë, Maroku ka 4 pikë, ndërsa belgët rrezikojnë eliminimin që në grup.

Sfidanti.al