Përplasja ishte shumë më e fortë, por përfundimi nuk ndryshoi. Oleksandër Usik bëri krenare gjithë Ukrainën duke mbrojtur titujt botëror në peshat e rënda të boksit profesionit e duke mbajtur 3 brezat e artë. Veterani 35-vjeçar pati revanshi ndaj anglezit Entoni Xhoshua, të cilin e mundi bindshëm në Londër vitin e kaluar, por këtë herë nuk bëhej fjalë për dominim. Të dy boksierët patën momentet e tyre, ndonëse në fund luftëtari nga Krimea i bindi më shumë gjyqtarët. Dy prej tyre ia dhanë fitoren atij ndaj vetëm një që i pati pikët në favor të Xhoshuas. Dueli u zhvillua në ringun e qytetit Xhedah në Arabinë Saudite dhe u ndoq në të gjithë botën, ku padyshim më shumë emocione patën ukrainasit që po përballojnë sulmin ushtarak të Rusisë. Usiku ua dedikoi fitoren pikërisht atyre.
“Dua të falenderoj të gjithë ata që u lutën për mua, – tha kampioni, – dua të falenderoj Zotin për ndihmën që më dha sot. Ai më ndihmoi shumë. Zoti im është Jezu Krishti. Unë dua t’iu falenderoj juve në Arabinë Saudite. Faleminderit shumë. Ia dedikoj këtë fitore vendit tim, Ukrainës, familjes sime, të gjithë njerëzve, ushtrisë që po mbron vendin. Ju falenderoj shumë. Jam i sigurt që Tajson Fjuri nuk është tërhequr. Ai dëshiron të ndeshet me mua, dhe unë dua që të ndeshem me të. Nëse nuk ndeshem me Fjurin, nuk kam ndërmend të vazhdoj me boksin”.
Gjithsesi, edhe pse dy boksierët pozuan me flamurin e Ukrainës, revanshi nuk përfundoi pa tensione dhe polemika. Xhoshua nuk e pranoi humbjen duke akuzuar gjyqtarët e duke dalë krejtësisht i acaruar nga ringu. Madje, ai vendosi të kthehej për të sfiduar pikërisht Usikun, duke i kërkuar disa herë ukrainasit që t’ia shpjegonte sesi mund të ishte ai fitues i kësaj ndeshjeje. Kampioni mban brezat e artë në versionet WBO, IBO, IBF dhe WBA.
Sfidanti.al