U desh një goditje dënimi e Garet Bejlit, që u devijua nga Andrij Jarmolenko, dhe me atë moment u vendos një ndeshje që mund të cilësohet padyshim si historike. Uellsi fitoi ndaj Ukrainës dhe siguroi kualifikimin për në finalet e Kupës së Botës që luhet këtë nëntor e dhjetor në Katar. Skuadra britanike kthehet në një turne të tillë pas plot 64 vitesh, që nga 1958-të kur ishte në Suedi me të madhin Xhon Çarls, dhe kur u eliminuan në çerekfinale nga Brazili i madh, me golin e shënuar nga Pele, me legjendën braziliane që u bë shënuesi më i ri në një Kupë Bote.
Uellsi këtë herë po luante në “Milenium” të Kardifit ndaj Ukrainës, dhe do të kishte qenë gjithashtu historike që ukrainasit të kishin fituar, ndërsa ata po luanin për gjithë vendin e tyre që ndodhet nën agresionin ushtarak të Rusisë. Edhe pse Ukraina bëri gjithçka, nuk arriti ta ndryshonte rezultatin, duke e bërë të pavlefshme fitoren në gjysmëfinalen e plej ofit, 3-1 ndaj Skocisë. Portieri vendas, Uejn Henesei bëri disa pritje shpëtimtare, me miqtë që patën 68 për qind të mbajtjes së topit, dhe që bënë 22 gjuajtje ndaj 10 të vendasve, 9 prej të cilave në portë (3). Në Botëror, Uellsi do të jetë në grup me Anglinë.
Sfidanti.al