Uimbëlldon, kur numri 589 eleminon numrin 29, ikën Del Potro

Padyshim është shumë më i mirë sesa numri që ka në “kurriz”. Ernests Gulbis nga Letonia mposhti një rival shumë të fortë si Huan Martin Del Potron, duke i dhënë vetes një shans që të ndeshet me gjigandin Novak Gjokoviç. Tenisti 28-vjeçar është sot numri 589 në botë, një renditje për t’u harruar, veçse nuk duhet harruar fakti se ai ka pasur dëmtime të shumta, që kanë qenë shkaku kryesor që e kanë zbritur kaq poshtë.

As Del Potro nuk është në ditët e tij më të mira, pasi numri 29 nuk i bën nder, veçse ajo që ndodhi në raundin e dytë të Uimbëlldonit, hyn gjithsesi tek të papriturat e mëdha. Një diferencë prej 560 vendesh në klasifikim që u “zerua” nga tenisti në letër më i dobët. Ernests Gulbis (si letonez, nuk mund të mungojë fundorja “s” në emrin dhe mbiemrin e tij) ia doli madje 3-0 me sete (6-4, 6-4, 7-6) në një ndeshje që do të mbahet mend. A do të shkaktojë një tjetër të papritur ndaj Gjokoviçit? E vështirë, por serbi ka nisur të ankohet nga i nxehti. Ndoshta, nuk është në formën e duhur?

Sfidanti.al