Dikur ka qenë ekipi më i madh i botës. Hungarezët, si virtuozët e topit, njiheshin si “kuajt fluturues”, ndërsa sot duket shumë e vështirë që të arrihet lavdia e Doktor Sharoshit, Pushkashit apo Ciborit. Gjithsesi, skuadra e sotme shpreson që të arrijë suksesin e Botërorit 1986 në Meksikë, kur Hungaria arriti për herë të fundit në fazën finale. Për t’ia dalë do të duhet së pari të mundë sot Shqipërinë në Arenën “Ferenc Pushkash”, ndonëse e ka marrë ndërkaq një goditje të rëndë.
Ekipi nuk do ta ketë mbështetjen e fuqishme të dhjetëra mijë tifozëve sepse ndeshja do të luhet pa publik, si rezultat i dënimit të dhënë nga FIFA pas shfaqjeve të racizmit në ndeshjen eleminatore të Botërorit ndaj Anglisë në Budapest. Ky do të jetë një plus jo i vogël për shqiptarët, ndërsa trajneri Marko Rosi, e vlerëson ndeshjen si “për jetë a vdekje”.
“Shqipëria është mundësia jonë e fundit, – thotë italiani, – do të bëjmë gjithçka për të fituar edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Shqipëria është një skuadër shumë e fortë, dhe nuk ka rëndësi fakti që ne jemi më lart në renditjen e FIFA-s. Ka 12 lojtarë në ligat kryesore të Europës. Duhet të jemi më agresivë sesa në ndeshjen e luajtur në Shqipëri, më dinamikë. Duhet të kemi më shumë personalitet në mbrojtje. Shpresoj të kemi fatin me vete”.
Vendasit nuk do ta kenë kapitenin Adam Salai të dëmtuar, por kthehen mbrojtësi Vili Orban dhe portieri Peter Gulaçi. Shpresa është që në formacion të jetë edhe lojtari i Lajpcigut, 20-vjeçari Soboslai. Hungaria është në vend të katërt në renditjen e grupit, por kjo nuk do të thotë se është pa shpresa. Barazimet në fazën finale të Europianit 2020 ndaj Gjermanisë 2-2 ap kundër Francës 1-1 e tregojnë qartë potencialin e saj.
Sfidanti.al