Ishte një mbrëmje e gjatë. Mijëra tifozë shqiptarë u dyndën drejt stadiumit kryesor të kryeqytetit, tashmë të ndërtuar nga e para. Nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga rruga përpara Radio Televizionit Publik, dhe nga rrugicat pingul me stadiumin, vërshuan nga të katër anët njerëzit që kishin fatin për të përuruar përsëgjalli Arenën e re, dhe për të parë Francën. Për herë të parë vinte në Shqipëri një kampione e botës.
Mes tyre, padyshim kishte mjaft që i kishin marrë biletat si dhuratë, ndërsa qindra e mijëra të tjerë, në të katër anët e vendit, nuk ia dolën, ndonëse ishin më të gatshëm të mbanin radhë të gjata për ta blerë një të tillë. Një huq i vjetër, natyrisht, që vazhdon prej dekadash. Entuziazëm, sidoqoftë, kishte. Po ashtu, edhe tifozë të ardhur nga jashtë Shqipërisë. Një stadium modern është vendi më i mirë për të shkuar me familje apo thjesht me fëmijë.
Masat e sigurisë ishin të rrepta, dhe vërtet siguria u ruajt siç duhet. Kontrollet ishin të forta, dhe të ndara për meshkuj e për femra. Në këtë shtetrrethim nuk mund të kalonte kjo parullë që mbante era racizëm, dhe që veçonte lojtarët me ngjyrë të Francës. Për kalim me makinë as që bëhej fjalë, por edhe gazetarët nuk mund të kalonin në hyrjen nga televizioni, porse në krahun e Sheshit Nënë Tereza, nga sheshi para hyrjes kryesore.
Kjo nuk ishte vështirësia kryesore. Gazetarët e patën shumë të vështirë për të zënë vend në tribunë, për shkak të kaosit në organizim në prag të ndeshjes. Le ta quajmë dështim të herës së parë, dhe të jemi më mirë në të ardhmen.
Në krahun e tribunës VIP njerëzit vijnë më vonë se të tjerët, më të ngeshëm, dhe me itinerar më të lehtë. Për herë të parë, ata do të kenë mundësi të shijojnë në një stadium shqiptar atë që mund të provohet në impiantet bashkëkohorë në Europë. Salla luksoze, dhe shërbim të shkëlqyer në bare e restorante. Jo vetëm kaq, por vetëm për ta ka një hartë orientuese të stadiumit.
Vëmendjen, normalisht, e tërheq kryeministri Edi Rama, i cili nuk mund të mungonte. Edhe më shumë vëmendje për figura të futbollit në të kaluarën dhe ish-lojtarë të kombëtares, siç ishte Igli Tare, i ardhur nga Lacio.
Qindra e qindra tifozë të tjerë, që nuk gjetën dot bileta, bënë një shpenzim më të vogël, dhe e ndoqën ndeshjen në zonen e përcaktuar për ta, në Sheshin Nënë Tereza. Përpara Shqipëri-Francë, ata ndoqën Kosovë-Angli, por për fat të keq, u mërzitën për gjithçka. Të dyja skuadrat shqiptare humbën. Kështu përfundoi mbrëmja e përurimit të “Arenës Air Albania”, një përurim që Franca na e bëri të hidhur.
Sfidanti.al